Marshimi i frikshëm i diabetit

06/04/2016 00:00

Bota përballet me një “hov pa frè” të diabetit, që sot prek gati një në 11 të rritur. Në raportin e fundit të saj, Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për katërfishim të rasteve, nga 108 milionë që ishin në 1980-n, në 422 milionë të regjistruar në vitin 2014.

Niveli i lartë i sheqerit në gjak është një prej shkaktarëve kryesorë të vdekjeve në botë, duke marrë gati 3,7 milionë jetë njerëzish në vit. Sipas zyrtarëve të OBSH-së, bilanci është i destinuar të rritet, nëse nuk ndërmerren masa drastike.

Problematike rezultojnë të dy llojet e diabeteve, 1 dhe 2, por në shtimin e numrit të të prekurve mbizotëron më shumë tipi 2, që lidhet më së shumti me stilin jo të mirë të jetesës.

Diabeti është një sëmundje e heshtur, – thotë doktori Etienne Krug, njeriu që drejton përpjekjet e OBSH-së kundër diabetit, – por marshimi i tij sot është i papepur dhe ne duhet me çdo kusht ta frenojmë.

Moskontrollimi i nivelit të sheqerit në gjak ka pasoja shkatërruese për shëndetin. Ai trefishon rrezikun e atakut kardiak, atë të hemorragjisë cerebrale, çon në bllokim të veshkave, komplikacione në shtatzëni dhe verbim.

Sipas doktorit Krug, kjo rritje e ndjeshme e numrit të të prekurve nga diabeti i detyrohet pjesërisht shtimit dhe plakjes së popullsisë së globit, por problemin kryesor e përbëjnë dietat dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Top Channel