Kosovë, vlerësimet e misionit të FMN-së për ekonominë

06/04/2016 00:00

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili vizitoi Prishtinën për të bërë rishikimin e dytë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me marrëveshje “Stand-By”, ka bërë disa vlerësime në përfundim të vizitës.

Në një komunikatë për shtyp, shefi i misionit të FMN-së për Kosovën, Jacques Miniane deklaron se, zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve që kanë të bëjnë me skema të ndryshme, veçanërisht ai i përfitimeve të lidhura me luftën, po ushtron presion gjithnjë e më të madh në buxhet dhe është duke minuar përpjekjet e autoriteteve për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale, duke krijuar hapësira për projekte kapitale që nxisin rritje dhe shpenzime të tjera prioritare.

“Duke qenë të vëmendshëm për këtë rrezik, autoritetet, në konsultim me stafin e FMN-së janë duke përgatitur një paketë masash, që kanë për qëllim strukturimin dhe kalibrimin më të mirë të këtyre skemave. Misioni, që zgjati nga data 23 mars deri më 5 prill vlerësoi se, autoritetet kosovare kanë arritur një rregullim të konsiderueshëm fiskal në vitin 2015, ku kufijtë e deficitit fiskal dhe bilancit bankar të qeverisë kanë pasur performancë shumë më të mirë, sesa ishte parashikuar në program, si dhe janë frenuar shpenzimet rrjedhëse”.

Sipas ekipit të FMN-së që vizitoi Kosovën, bankat vazhdojnë të jenë në gjendje të mirë dhe rritja e vitit të kaluar sa u përket kredive të dhëna ka vazhduar. Është duke u shënuar progres në masat për eliminimin e barrierave strukturore në kredidhënie, avancimin e mbikëqyrjes bankare, ndërsa sistemi i prokurimit publik është fuqizuar.

Top Channel