Stërvitje antiterror, Franca përgatitet për Europianin

06/04/2016 00:00

Stërvitjet kundër zjarrit, tërmeteve apo fenomeneve të tjera natyrore janë diçka e zakonshme, por Franca ka nisur të praktikojë edhe ato kundër terrorizmit.

Shndërrimi vendit në një objektiv për militantët dhe afrimi i Kampionatit Europian të futbollit duket se e kanë shndërruar këtë në një prioritet. Qyteti i Bordosë ka marrë iniciativën dhe zhvilloi një stërvitje ku morën pjesë mbi 500 policië, zjarrfikës dhe ekipe të emergjencës.

Skenari i sulmit të rreme terrorist u zhvillua në sheshin “Place de Quinconces”, i dyti më i madh në Europë dhe që do të përdoret si një zonë tifozësh gjatë zhvillimit të Kampionatit Europian.

Në këtë shesh mund të qëndrojnë 62 mijë njerëz dhe dihet që vendet publike janë objektivi i preferuar i terroristëve. Në stërvitje dy orëshë të zhvilluar gjatë orëve të mbrëmjes, dy grupe terroriste sulmuan turmën.

Një terrorist hodhi veten në erë, ndërsa një tjetër mori 10 pengje. Sigurisht që në këtë skenar të përgatitur, forcat e rendit e zgjidhën shumë shpejt situatën, diçka që në realitet nuk shkon kaq mirë.

Mediat franceze shkruajnë se stërvitja është edhe një mjet për të mësuar publikun me pamjen e më shumë forcave sigurie në rrugë, diçka që do të jetë praktikë gjatë zhvillimit të Kamionatit Europian për të cilin do të merren masa ekstreme sigurie.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve dhe ministrja e Shëndetësisë, Marisol Touraine, ishin prezentë në aksion. Qyteti i Bordosë do të presë 5 ndeshje të Europianit 2016, nga të cilat 4 janë për fazën e grupeve dhe një për çerekfinale.

Top Channel