Olimpiada e Rios, vonesa në përgatitje

06/04/2016 00:00

Ka pasur protesta, vonesa, korrupsion me paratë publike dhe ndryshime të projekteve, por pavarësisht një mijë problemeve në Brazil janë të sigurt se do të organizojnë një Olimpiadë fantastike dhe emocionuese.

Në vendin e sambës dhe futbollit po presin turneun e dytë të rëndësishëm sportiv, pas Botërorit 2014, dhe ndërsa presioni i Komitetit Olimpik shtohet, në Rio janë të bindur se do të kompletojnë planet.

Organizatorët e Olimpiadës së Rio de Zhaneiros që zhvillohet këtë verë dhe mbledh sportistët elitarë nga i gjithë planeti, vendosën theksin te parku i Barra da Tihuka, ku do të garojnë plot 23 disiplina të ndryshme.

“Arena e së ardhmes” quhet një prej impianteve që do të presë pjesëmarrës të lojërave por 4 muaj nga starti, as kjo nuk është gati. Impianti prej 12 mijë vendesh do ta ketë jetën shumë të shkurtër.

Ai do të presë ndeshjet e hendbollit në Lojërat Olimpike dhe ato Paraolimpike deri në shtator të këtij viti, e më pas do të shembet. Materialet ndërtuese do të shërbejnë për 4 shkolla të reja në Rio de Zhaneiro.

Ndërkohë puna vazhdon me ritme mesatare në Qendrën e Sporteve Ujore, një impiant me kapacitet 18 mijë vende ku do të garojnë dhjetëra sportistë për medaljet në not dhe vaterpolo.

Por në vendin e goditur nga kriza ekonomike dhe skandalet politike, pak kush e ka vëmendjen në një turne sportiv, qoftë ky edhe i përmasave globale si Olimpiada.

Top Channel