Champions, Barcelona përmbys Atleticon, fiton edhe Bayern

05/04/2016 00:00

Barcelona dhe Bayerni i Mynihut fitojnë raundet e para të çerekfinaleve në UEFA Champions League por çështja e kualifikimit mes 4 më të mirave të Europës mbetet e hapur.

Katalanasit fshinë zhgënjimin e disfatës në “El Clasico” pasi triumfuan në derbin spanjoll kundër Atletico Madrid në një 90 minutësh ku ndodhi gjithçka, që nga kartonët e kuq dhe deri tek kthimi i rezultatit në favor 2-1.

Ishin djemtë e Diego Simeones që u treguan më agresivë në minutat e para, duke e gjetur rrugën e rrjetë në minutën e 25 me Fernando Torres që e shtyu topin në rrjetë pas asistit të Koke. Ishte sërish Torres që u bë protagonist në minutën e 35 kur u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli të panevojshëm në mesfushë, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë.

Që nga ky moment, Barcelona e rriti ndjeshëm presionin duke e mbyllur skuadrën kundërshtare në gjysmëfushën e saj. Luis Suarez vendosi barazpeshën në minutën e 63 pasi devijoi në portë një top të përplasur në këmbët e tij, ndërsa uruguajani finalizoi me sukses një aksion model 11 minuta më pas duke i dhuruar fitoren 2-1 Barcelonës që shkon në “Vicente Calderon” me avantazhin minimal.

Me një gol diferencë fitoi edhe Bayerni i Mynihut që iu deshën pak më shumë se 100 sekonda për të thyer Benfican. Ishte Arturo VIdal ai që zhbllokoi sfidën duke krijuar iluzionin se mbrëmja bavareze do të kthehej në një festë golash por portugezët arritën të mbronin disavantazhin e ngushtë për të shpresuar te kualifikimi në sfidën e kthimit.

Top Channel