“Letrat e Panamasë” fusin në vorbull edhe presidentin e FIFA-s

05/04/2016 00:00

Kreu i ri i futbollit botëror, Gianni Infantino nuk kishte si t’u shpëtonte të ashtuquajturave “letra të Panamasë”, teksa sipas dokumenteve të siguruara prej rrjedhjes më masive të materialeve financiare, e të zotëruara prej “The Guardian”, edhe ai përfshihet në skandale korrupsioni.

Letrat në fjalë pritet të shkaktojnë një tjetër tërmet në FIFA, pasi presidenti i zgjedhur së fundi dyshohet të ketë luajtur rol në marrëveshjet e përfunduara teksa ka qenë drejtor i Shërbimeve Ligjore në UEFA, organizmi qeverisës i futbollit europian.

Sipas zbulimeve, UEFA ka arritur marrëveshje “offshore” me një prej figurave të dënuara në qendër të skandalit të korrupsionit me një prej “Botërorëve”, pavarësisht se ai vet ka këmbëngulur në të kaluarën se nuk ka pasur lidhje me asnjë prej tyre.

Situata emergjente për t’i nënshkruar ato kontrata mes viteve 2003-2006, të cilat janë bashkënënshkruar nga Infantino, e lidhin UEFA-n për herë të parë me një prej kompanive të përfshira në skandalin e fundit të korrupsionit, që detyroi të largohej nga posti që mbante si president i FIFA-s edhe zviceranin Sepp Blatter.

UEFA ka mohuar të ketë ndonjë shkelje ligji nga ndonjë prej zyrtarëve të saj, apo qoftë edhe nga ndonjë partner marketingu. Sipas saj, kontratat janë të gjitha të hapura ndaj bordit drejtues. Edhe FIFA, më herët, ka këmbëngulur se Infantino nuk ka pasur lidhje apo marrëveshje me ndonjë prej zyrtarëve të saj të marrë tashmë nën hetim, apo me kompani të tyre.

Zbulimet e fundit gjenden mes 11 milionë dokumenteve të rrjedhura nga firma ligjore “offshore” me seli në Panama, “Mossack Fonseca”, të cilat u siguruan fillimisht nga “Suddeutsche Zeitung” dhe më pas u shpërndanë nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë me shumë media dhe organizata mediatike botërore.

Infantino është një shtetas zvicerano-italian, që përpara se të bëhej president i FIFA-s mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, por gjatë muajit shkurt fitoi garën për të pasuar Blatterin e larguar mes akuzave për korrupsion. Dokumentet tregojnë se, në vitin 2006, kur ai punonte në UEFA, organizata shiti të drejtat e transmetimit të kompeticioneve europiane për klube në Amerikën e Jugut. Më konkretisht, të drejtat për Champions League, UEFA Cup (tashmë Europa League) dhe Superkupa e Europës u fituan nga një kompani argjentinase e quajtur “Cross Trading”, e cila menjëherë ia shiti ato rrjetit të transmetimit “Teleamazonas” për një çmim sa 3 apo 4-fishi që kishin paguar. Kontratat mbulojnë periudhat mes 2003-2006 dhe 2006-2009.

“Cross Trading” është një kompani satelit e asaj më të madhe “Full Play”, e zotëruar nga Hugo Jinkis, i cili në një ngjarje të palidhur me këto skandale, u akuzua nga prokurorët amerikanë se u kishte dhënë miliona dollarë ryshfete dhe haraçe ndaj disa ekzekutivëve të futbollit për të mbajtur të drejtat televizive dhe ato të marketingut. Jinkis, së bashku me të birin e tij Mariano, gjenden aktualisht nën arrest shtëpiak në Argjentinë.

Top Channel