Maqedoni, miratohen emrat e rinj të BDI-së në postet ministrore

05/04/2016 00:00

Me votat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Parlamenti maqedonas ka miratuar emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj në Qeverinë e Maqedonisë, të propozuar nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim.

Deputetët e LSDM-së votuan kundër, ndërsa ata të PDSH-së u larguan nga salla para votimit.

“Edhe krahas kapaciteteve të kufizuara të qeverisë teknike, pres nga këta persona të vazhdojnë me zbatimin e programit dhe projekteve të qeverisë. Të kenë punë produktive në dikasterin që drejtojnë”, tha Emil Dimitriev, kryeministër i Maqedonisë.

Emërimi i ministrave është shoqëruar me polemika mes deputetëve të shumicës dhe opozitës.

“Është fati historik i Ali Ahmetit, që të prezantojë përpara qytetarëve të Maqedonisë këtë brez, për të cilin kemi luftuar, kemi derdhur gjak dhe kemi bërë sakrifica personale”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

“Ju po caktoni ministra jofunksionalë, po largoni njerëzit që prej 13 vitesh ishin në funksion të krimit. Konstatimi është se, të këqinjtë ikin, por e keqja ngel”, tha Ymer Aliu, deputet i PDSH-së.

Me propozim të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, Arbër Ademi është emëruar zv.kryeministër për Çështjet Europiane, kurse Festim Halili, zv.kryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Valdet Xhaferi do të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë; Pishtar Luftiu atë të Arsimit; Driton Kuçi Ekonominë; Bashkim Ahmeti, Ministrinë e Ekologjisë; ndërsa Shyrete Elezi, atë të Pushtetit Lokal.

Top Channel