Kosovë, drejtori i AKI-së takohet me kreun e CIA-s në SHBA

05/04/2016 00:00

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Agron Selimaj është takuar me drejtorin e CIA-s, John O. Brennan, gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, ata kanë diskutuar për çështjet e sigurisë me interes të përbashkët, fenomenet dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet siguria kombëtare e të dy vendeve.

Vizita e drejtorit Selimaj në zyrat e CIA-s, sipas komunikatës është pasqyrim i marrëdhënieve të afërta të bashkëpunimit ndërmjet dy agjencive, e njëkohësisht do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.

Në këtë takim, drejtori Brennan ka vlerësuar kontributin e AKI-së në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, si dhe ka premtuar përkrahje të plotë për AKI-në.

Gjatë takimit, Selimaj e ka ftuar drejtorin Brennan për një vizitë zyrtare në Kosovë dhe e ka falënderuar për mbështetjen e deritanishme.

Top Channel