Targat e Kosovës, ende problem për qarkullim në komunat veriore

05/04/2016 00:00

Komunat veriore të Kosovës të populluara me serbë vazhdojnë të mbeten të pasigurta për lëvizjen e automjeteve me targa të Republikës së Kosovës. Makinat që lëvizin rrugëve të Leposaviçit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut mbajnë ende targa me inicialet serbe të paraluftës “KM”, ndryshe “Kosovska Mitrovica” apo “Mitrovica e Kosovës”.

Këto targa konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës dhe makinat që i mbajnë ato nuk mund të kalojnë në pjesën jugore të Kosovës. Por, as automjetet me targa zyrtare të Kosovës nuk mund të përdoren në veri. Qytetarët që duhet të shkojnë për punë në anën tjetër të lumit Ibër detyrohen t’i heqin ato, teksa u drejtohen komunave serbe.

Enver Hajra, nga jugu i Mitrovicës, tregon për Top Channel sesi i heq targat e makinës personale kur shkon në pjesën veriore, pasi edhe ai, si shumë të tjerë, e di se atje nuk ka siguri.

“Ne po shkojmë në pjesën veriore, por edhe pse paslufte gjithsesi duhet t’i heqim targat, sepse nuk ka siguri në pjesën veriore me këto targa”, tha Enver Hajra, qytetar nga Mitrovica.

Targat me stemën e Kosovës, ashtu si çdo simbol i shtetit kosovar, në veri mund të provokojnë incidente dhe sulme nga elemente kriminale. I vetmi simbol në veri, që tregon se ndodhesh në territorin e Kosovës është uniforma e re e Policisë, e cila ka edhe flamurin kosovar.

Megjithatë, pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës në veri, nuk i pengojnë qytetarët që lëvizin me makina me targa ilegale, të cilat janë lëshuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punët e Brendshme dhe Sigurinë, Daut Haradinaj thotë se kjo situatë e ka një zgjidhje.

“Në këtë rast, Inspektoriati duhet të jetë më vigjilent, t’i shohë ata policë që nuk e kryejnë detyrën dhe të marrë masat. I kanë rregulloret e brendshme, i kanë urdhrat dhe të gjitha të drejtat ligjore për të vepruar, por po shihet qartë edhe njëherë, që Qeveria e Kosovës nuk shqetësohet shumë se kush qarkullon në veri të Kosovës”, tha Daut Haradinaj, kryetar i komisionit nga AAK.

Kufiri i fundit, ku një qytetar i thjeshtë mund të shkojë me makinën e regjistruar tek autoritetet kosovare është ura mbi lumin Ibër. Përjashtim nuk bëjnë as mediat. Ndërsa ata zyrtarë, që rrallë shkelin në veri të Kosovës, shoqërohen me eskorta policore.

Top Channel