Athina, qasje me Tiranën dhe Romën për krizën e refugjatëve

05/04/2016 09:45

Duke kritikuar qeverinë Tsipras për pasivitet dhe reagim të vonuar ndaj krizës së refugjatëve, që si rezultat ka krijuar një situatë thuajse jashtë kontrollit në veri të vendit, në kampin e Eidhomenit, gazeta greke “To Vima” bën me dije se Athina zyrtare ka nisur përpjekjet për një qasje të re ndaj fqinjëve të saj, Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Bullgarisë për zgjidhjen e kësaj krize.

Bëhet fjalë për një proces me dy faza që të ndërmarrë nga Ministria e Jashtme greke. Në fillim parashikohet një takim trepalësh me përfaqësues të Ministrive të Jashtme të Tiranës, Romës dhe Athinës në kryeqytetin grek në 7 prill. Më pas, një takim me krerët e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë në kryeqytetin helen.

Përsa i përket takimit të parë, kreu i diplomacisë greke, Kotzias ia ka propozuar si ide homologut të tij shqiptar, Bushati, gjatë takimit të fundit – thekson gazeta. Sipas “To Vima”, kjo lëvizje diplomatike ka ardhur si rezultat i shqetësimit nga nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis Tiranës dhe Romës, më qëllim mbikëqyrjen e përbashkët të të gjithë brezit kufitar për valën e refugjatëve.

Sipas burimeve diplomatike të cilave iu referohet gazeta, kjo qasje me Shqipërinë dhe Italinë do ketë të bëjë me çështje që lidhen me shkëmbimin e informacionit nga organet policore, një bashkëpunim që i është kërkuar Greqisë nga SHBA prej një viti për shkak të fenomenit të hyrjes së xhihadistëve të huaj në Europë.

Qëllimi i Athinës është përgatitja e një takimi të gjerë ndërkombëtar për gjithë rajonin ballkanik, me temë kryesore përballimin e krizës së refugjatëve.

Top Channel