Vendosin tifozët, Gotze larg Dortmundit

05/04/2016 00:00

Duhet të zgjedhë mes Liverpulit ku ndodhet trajneri i tiji preferuar apo Borusias së Dortmundit ku u largua me bujë dhe polemika, por në pritje të hapjes zyrtare të merkatos, Mario Gotze ka marrë një përgjigje negative nga “Signal Iduna Park”.

Futbollisti i kombëtares gjermane duket se nuk bën pjesë më në planet e Bayern Munchen, por edhe te ish-ekipi i tij, nuk ka tifozë që pranon rikthimin e mesfushorit planprishës, që preferoi milionat dhe Bavarinë, para ekipit që e lancoi mes yjeve.
 
Mario Gotze, i cili erdhi nga akademia e Dortmundit dhe në vitin 2013 u bashkua me rivalët e Bayernit me shumën prej 37 milionë euro, konsiderohet si tradhtar në kampionatin gjerman nga mbështetësit “verdhezi”.

Lojtari i “panxerave” ka pasur shumë probleme me dëmtimet kohët e fundit, por pavarësisht kësaj, ofertat nuk mungojnë. Dortmund mund të jetë klubi më favorit, pasi presidenti i skuadrës, Joachim Watzke ka deklaruar se klubi i ka dyert e hapura për Gotze.

Megjithatë kjo nuk është pritur mirë nga tifozët e Dortmundit. “Milani ose Madridi, gjëja kryesore nuk është Dortmund”. Mjafton kjo fjali për të kuptuar se çfarë e pret mesfushorin, nëse firmos rikthimin në “Signal Iduna Park”.

Që prej fillimit të tetorit, Mario Gotze ka luajtur vetëm 3 herë titullar me formacionin e Pep Guardiolës.

Top Channel