“Autostrada” e titullit, Juve tani me pengesat minimale

04/04/2016 00:00

Ndalesa surprizë e Napolit në një fushë ku pritej të merrte 3 pikët e ka kthyer në një autostradë rrugën e Juventusit drejt titullit kampion, pasi diferenca e dyfishuar në krahasim me periudhën para Pashkëve dhe kalendari, çojnë titullin “de facto” në duart e bardhezinjve.

Duhen vetëm 7 javë nga fundi i këtij sezoni në Serinë A dhe 6 pikët më shumë se të kaltërit marrin formën e një garancie.

Marshi i kampionëve në fuqi duket i pandalshëm, ndërsa skuadra e vetme rivale që kërcënon titullin, Napoli i trajnerit Sarri, ka rënë pre e tensionit dhe titulli është një mision i pamundur.

Në 21 ndeshjet e fundit, Juventus ka fituar 20 herë duke barazuar vetëm 1, por statistikat pozitive nuk ndalen këtu. Në 12 përballjet e fundit, prapavija bardhezi ka lënë vetëm 1 gol dhe me shumë gjasa do të mbajë të njëjtën formë edhe në finalen e sezonit.

Të shtunën, “Zonja e vjetër” do të luajë në “San Siro” ndaj Milanit, dhe një sukses ndaj kuqezinjve përkthehet në hipotekim të titullit. Napoli luan ndaj Veronës me 3 pikë të lehta, të paktën në letër, por më pas kalendari favorizon dukshëm Juventusin edhe nëse dështon këtë javë.

Pengesat e vërteta për kampionët janë Milani dhe Fiorentina, por sfidat që dotë luajë në shtëpi ndaj Palermos, Lacios, Karpit dhe Sampdorias, bëjnë që “tringjyrëshi” të mbetet sërish në Torino.

Napoletanët, ndërkohë, pjesën e mbetur kanë përballje të lehta në shtëpi, por transfertat e sikletshme ndaj Interit në “San Siro” dhe Romës në “Olimpico’, mund të sjellin skenarë të ndryshëm për të kaltërit, madje dhe humbjen e vendit të dytë.

Top Channel