Kosovë, “Ferronikeli” ndal punën. Rrezikojnë 900 punonjës të kombinatit

04/04/2016 00:00

Kompania më e madhe e privatizuar deri tani në Kosovë, ajo e përpunimit të nikelit në Drenas, prej 4 ditësh ka ndalur prodhimin. Rreth 900 punonjës të Kombinatit të “Ferronikelit” nuk po punojnë, me arsyetimin se ka rënë çmimi i nikelit në bursën ndërkombëtare.

Gjiganti kosovar i prodhimit të nikelit është privatizuar në 2006-n nga një kompani izraelite, për vetëm 30.5 milionë euro, ndërsa që nga privatizimi e deri tani – sipas punëtorëve, – kompania ka fituar qindra milionë euro.

“Prej privatizimit e deri më sot, ‘Ferronikeli’ ka prodhuar 60 mijë ton nikel. Kjo do të thotë se, duke marrë mesataren e çmimit në tregun botëror, po themi një shifër më të ultën e mundshme ka prodhuar diku një miliard euro”, tha Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve.

Ndalja e punës së “Ferronikelit”, që përbën rreth 48 për qind të eksportit vjetor të Kosovës, ka alarmuar kryeministrin Isa Mustafa, i cili ka takuar të hënën drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë.

“Këtu bëhet fjalë për një gjigant ekonomik, që është shumë i rëndësishëm për ne si në pikëpamjen e prodhimit, edhe në pikëpamjen e eksportit. Por para së gjithash, në pikëpamjen e rreth 900 punëtorëve dhe familjeve, të cilët punojnë dhe krijojnë të ardhura nga ky kombinat”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Drejtori i “Ferronikelit” tha se, kanë kërkuar nga Qeveria ulje të çmimit të energjisë si dhe ulje të taksave.

“Askush nuk do ta humbasë punën. Po tentojmë t’i mbajmë të gjithë punëtorët, pavarësisht situatës sonë të keqe. Por kemi nevojë për pak kohë, për të gjetur zgjidhje për problemet tona”, tha Miltiadis Tragakis, drejtor i Përgjithshëm i “Ferronikelit”.

Kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” do të pushojë së funksionuari për 3 muaj, ndërsa punëtorët do të marrin deri atëherë 70 për qind të pagës, me shpresë se do t’i kthehen punës për nxjerrjen dhe përpunimin e nikelit.

Top Channel