Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar zyrtarisht të hënën dorëheqjet e të gjithë ministrave dhe zëvendësministrave nga radhët e BDI-së. Rregullorja e Parlamentit nuk lejon debat për dorëheqjet e ministrave, që konstatohen nga drejtuesi i seancës plenare.

“Ministri Musa Xhaferi ka dhënë dorëheqjen. Konstatoj se, në bazë të nenin 220 nga Rregullorja e Kuvendit të Maqedonisë, Musa Xhaferit i përfundon mandati i ministrit”, është shprehur Trajko Veljanovski, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka propozuar emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj, që priten të marrin postet e tyre të martën, menjëherë pasi të votohen në Kuvend.

Vendimi i Ahmetit, për të propozuar kandidatë të rinj në kabinetin e kryeministrit Emil Dimitriev, nuk ishte i papritur, pasi në njoftimin për tërheqjen e ministrave nga Qeveria, në asnjë rresht nuk saktësohej nëse BDI-ja do ta braktiste Qeverinë.

Disa analistë e kanë vlerësuar si veprim taktik vendimin e fundit të Ahmetit, i cili në prag të zgjedhjeve vendosi të tërheqë nga ekzekutivi ministrat e “përjetshëm” të kësaj partie, pas publikimit të materialeve kompromentuese për zv.kryeministrin Musa Xhaferi.

Ministrat e ardhshëm të BDI-së janë të rinj në moshë dhe kryesisht pa eksperiencë në politikë.

Top Channel