Thaçi president, Kushtetuesja rrëzon kallëzimin e opozitës

04/04/2016 11:50

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme padinë e opozitës kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president më 26 shkurt.

Tri partitë opozitare e kishin dërguar peticionin e tyre në gjykatë një muaj më parë, duke pretenduar për shkelje të proçedurave dhe sa i takon numrit të deputetëve të pranishëm në seancë.

Por Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka sqaruar se sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit duheshin dy të tretat e votave të deputetëve, përkatësisht 80 prej tyre.

Sipas pikës 60 të vendimit të gjykatës, në rastin e zgjedhjes së Thaçit president në tri raundet e votimit kanë marrë pjesë 81 deputetë. Prandaj, gjykata e ka shpallur kërkesën e partive opozitare si të papranueshme.

Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës më 26 shkurt, ndërsa detyrën zyrtare pritet ta marrë më 7 prill, kur parashikohet të bëjë edhe betimin solemn në Kuvendin e Kosovës. 

Top Channel