MotoGP, Marc Marquez triumfon në Argjentinë

04/04/2016 11:30

Marc Marquez është fituesi i Çmimit të Madh të Argjentinës në Botërorin e MotoGP. Piloti spanjoll i Hondës arriti të fitojë një garë me një sërë të panjohurash dhe surpriza, ku pati vend edhe për procesin e ndërrimit të motorëve për të gjithë pilotët.

Marquez ishte dominues gjatë gjithë fuindjavës argjentinase dhe kjo u duk edhe në garë. Valentino Rossi rivalizoi me 23-vjeçarin vetëm për disa momente për t’u dorëzuar kundrejt tij.

Në fakt, Rossi, ashtu sikurse edhe Pedrosa, mbetën jashtë zonës së podiumit pasi ishin pilotët e Ducatit, Dovizioso dhe Iannone ata që kishin zaptuar vendin e dytë dhe të tretë. Por në xhirot e fundit Iannone e teproi me sulmin ndaj bashkëkombasit të tij, duke ia dhuruar podiumin Rossit dhe Pedrosës.

Krejtësisht për t’u harruar ishte kjo fundjavë për Jorge Lorenzon. Kampioni i botës u rrëzua gjatë garës për ta braktisur përfundimisht atë.

Në renditjen e përgjithshme të Botërorit, ai që kryeson është Marquez me 41 pikë, i ndjekur nga Rossi me 33. Vendi i tretë është për Pedrosa me 27 pikë, duke lënë pas Jorge Lorenzon.

Top Channel