Novak Djokovic fiton Mastersin e Majemit

04/04/2016 11:20

Novak Djokovic nuk di të ndalet. Tenisti serb fitoi edhe turneun Masters të Majemit për herë të 6 në karrierën e tij, duke barazuar rekordin e Andre Agassit.

Në të njëjtën kohë, Djokovic, i cili përfitoi edhe 1 milionë e 28 mijë dollarë, regjistroi titullin e tij të 63 në karrierë si dhe vendosi edhe një rekord me trofetë e fituar në turnetë Masters, me 28, duke parakaluar spanjollin Rafael Nadal.

Në të njëjtën kohë, ky suykses ishte i katërti për Djokovic për vitin 2016, pas atyre në Australian Open, Qatar Open dhe Indian Wells.

Djokovic u përball në finalen e Miami Masters me Kei Nishikorin, të cilin e mundi pa shumë probleme 2-0. Djokovic e nisi ndeshjen duke humbur gejmin e parë me shërbimet e tij, por kjo kaloi shumë shpejt, pasi numri 1 i botës e vendosi menjëherë diktatin e tij.

Tenistit 28-vjeçar iu deshën vetëm 85 minuta për të mbyllur këtë takim, setet e të cilit i fitoi me të njëjtin rezultat: 6-3.

Pas përfundimit të Mastersit të Majemit, Djokovic do të nisë përgatitjet për sezonin e turneve në fushat me dhè, që do të nisë me Mastersin e Montekarlos.

Top Channel