Nisi sot kthimi i refugjatëve sirianë nga Greqia drejt Turqisë

04/04/2016 08:55

Prej orëve të para të mëngjesit, nën masa të rrepta sigurie ka filluar në Greqi procesi i kthimit të refugjatëve, në kuadrin e marrëveshjes BE-Turqi, për të cilën ende ka dyshime nëse do të zbatohet siç është parashikuar.

Plot 136 emigrantë, të shoqëruar secili me nga një polic të agjencisë “FRONTEX”, kanë hipur në dy anije turke në ishullin e Mitilinit, ndërsa 66 të tjerë janë nisur nga ishulli Hios me të njëjtin destinacion: portin turk të Dikilit, ku kanë mbërritur pak orë më vonë.

Shumica e emigrantëve të parë që janë kthyer kanë qenë nga Pakistani, ndërsa ka pasur edhe disa nga Bangladeshi, India, Sri Lanka, Iraku dhe vetëm dy sirianë janë kthyer me dëshirën e tyre. Organet greke kanë njoftuar se, të martën dhe të mërkurën nuk do të ketë proces kthimi në bazë të programit, pasi nuk është plotësuar numri i duhur i emigrantëve që duhet të deportohen.

Sipas marrëveshjes, emigrantët që kanë mbërritur ilegalisht në Greqi, nëse nuk aplikojnë për azil, ose nëse apeli i tyre refuzohet, kthehen mbrapsht në Turqi. Por deri më tani, në “hotspotin” e Morias në Mitilini, thuajse të gjithë emigrantët dhe refugjatët kanë bërë kërkesë për azil, gjë që ende nuk është shqyrtuar për mungesë personeli, kështu që çdo proces rikthimi pezullohet përkohësisht.

“Çdo kërkesë është marrë në konsideratë veç e veç dhe në bazë të secilës prej tyre është lëshuar një vendim. Vetëm atëherë emigrantët mund të vihen në listën e atyre që duhet të kthehen”, tha Eëa Moncure, zëdhënëse e “FRONTEX”.

Ndërkohë, gjatë procedurës ka pasur reagime nga aktivistë të organizatave të të drejtave të njeriut, përfshi nga “Amnesty International”, që konsideron marrëveshjen të rrezikshme për emigrantët, pasi e cilëson Turqinë si vend të pasigurtë. Por edhe nga “Save the Children”, që e quan marrëveshjen “të paligjshme dhe çnjerëzore”.

Në Portin e Pireut, refugjatët kundërshtojnë të shkojnë në kampet e organizuara nga qeveria, me frikën se kështu do të jetë më i lehtë deportimi i tyre. Edhe pranë Idomenit, dhjetëra të tjerë vazhdojnë për të tretën ditë të mbajnë të bllokuar rrugën nacionale, duke kërkuar hapjen e kufijve.

Sot fillon zyrtarisht edhe zbatimi i pjesës tjetër të marrëveshjes, sipas së cilës, për çdo emigrant sirian që kthehet në Turqi, BE duhet të pranojë një tjetër sirian, që ka bërë kërkesë legjitime për azil, por që nuk ka hyrë në mënyrë ilegale në Greqi ose në një vend tjetër euriopian pas 20 marsit.

Top Channel