F1, Rosberg fiton edhe Çmimin e Madh të Bahreinit, Raikkonen i dyti

03/04/2016 18:40

Fitoi Nico Rosberg, por pas tij nuk ishte Mercedesi tjetër i Hamilton, ashtu siç ka ndodhur në shumë raste në dy kampionatet e fundit të Formula 1.

Gara për Çmimin e Madh të Bahreinit e zhvilluar nën dritën e prozhektorëve përfundoi me suksesin e gjermanit të skuadrës kampione në fuqi, por pas tij, u rendit Ferrari i drejtuar nga Kimi Raikkonen, autor i një prove të mirë në ndalesën e dytë sezonale.

Rosberg, Raikkonen dhe Hamilton është treshja e podiumit të më të mirëve në pistën pranë shkretëtirës, por deri në flamurin me kuadrate pati vërtet garë të fortë.

Që në xhiron njohëse të pistës, pa filluar vërtet rivaliteti, Sebastian Vettel u tërhoq pasi dogji motorin e Ferrarit, por skuadra italiane bëri të vlejë veturën tjetër në pistë.

Nico Rosberg mori fitoren e dytë në po kaq gara dhe vendimtar në këtë sukses ishte starti i Bahreinit, ku gjermani mori kryesimin në dëm të Hamilton duke mos e lëshur më.

Një tjetër nisje për t’u harruar nga britaniku që pasi pati dhe një kontakt me makinën e Bottas, u detyrua të kthente përmbysjen në mision, por mori vetëm pikët e vendit të tretë. Gara e radhës në kampionatin e Formula 1 do të zhvillohet në 17 prill në Kinë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel