Leicester, 4 fitore larg nga mrekullia

03/04/2016 16:30

Leicester vazhdon të mjaftohet me një gol dhe 3 pikë në Premier League duke arritur në 6 javët e fundit një barazim dhe 5 fitore minimale.

Edhe këtë të diel, ekipi i drejtuar nga Ranieri mori një fitore 1-0 në fushën e tij ndaj Southamptonit duke iu afruar edhe më shumë triumfit historik në Premiere League.

Një gol i shënuar nga Morgan në fundin e pjesës së parë i ka mjaftuar “dhelprave” për  të siguruar 3 pikët, më të rëndësishmet në një ndeshje futbolli dhe natyrisht edhe për ta në këtë fazë që ka arritur kampionati.

Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi, Leicesterit do t’i mjaftonin 4 fitore dhe pavarësisht rezultateve të ndjekësve të Tottenham e Arsenalit, ata do të arrinin mrekullinë duke fituar titullin, të cilin edhe tifozët më të zjarrtë të tyre zor se do ta ëndërronin në fillimin e kampionatit. Aktualisht, Totenham i vendit të dytë ndodhet 7 pikë më pakë, ndërsa Arsenali i vendit të tretë ka 11 pikë më pak se Leicester, por një ndeshje më pak.

Top Channel