Skandali i dopingut në Britani, protagonistët e mohojnë

03/04/2016 00:00

Një raportim i “Sunday Times” ka njollosur me një skandal dopingu kampionatin më të fortë futbollistik në planet, por dy prej ekipeve të përmendura, Arsenal dhe Chelsea kanë mohuar përfshirjen e tyre.

Dy klubet londineze u përmendën mes ekipeve të tjera britanike, nga një analizë e doktor Mark Bonar i cili tha se kishte ndihmuar shumë sportistë të njohur artificialisht, duke përfshirë dhe yje të Premier Ligës.

Në studimin inkriminues të publikuar këtë të dielë, përmenden gjithashtu edhe Leicester City dhe Birmingham, dy skuadra në listën e ish-klientëve të majmë të doktor Bonar.

“Klubi i Arsenalit është jashtëzakonisht i zhgënjyer nga publikimi i këtyre pretendimeve false të cilat janë shpikur pa asnjë bazë. ‘Sunday Times’ e di se nuk ka asnjë provë për këtë skandal dopingu, por pavarësisht kësaj preferoi t’i publikojë. Klubi do të marrë përgjegjësitë e tij dhe do të reagojë. Ne i përmbahemi në mënyër strikte rregullave të Agjencisë Botërore Antidoping”, thuhet në njoftimin e Arsenalit, një përmbajtje e ngjashme me reagimin zyrtar të Chelseat.

Top Channel