Dopingu trondit Britaninë. Mjeku: Kam dhënë receta për 150 sportistë

03/04/2016 00:00

Është gazeta londineze “The Sunday Times”, ajo që në numrin e saj të kësaj të diele ka botuar skandalin, ku një mjek i filmuar në mënyrë sekrete nga gazetarët e saj, deklaron me zë dhe figurë se ka dhënë receta për 150 sportistë britanikë, përfshi edhe futbollistë të kampionatit anglez të futbollit, Premier League.

Mjeku Mark Bonar ka faturuar mijëra stërlina sportistët e suksesshëm britanikë për të marrë një ilaç të ndaluar për t’u konsumuar nga sportistët. Pas publikimit të lajmit, qeveria britanike ka urdhëruar një hetim urgjent, duke thënë se “është e shokuar dhe thellësisht e shqetësuar” nga kjo ngjarje.

Hetimi do të përfshijë Agjencinë britanike të Antidopingut, e cila edhe pse ka qenë në dijeni të kësaj afere dy vite më parë, sërish ka dështuar të ndërmarrë masa.

Në takimet e filmuara në mënyrë sekrete nga gazetarët e “The Sunday Times” të Londrës, mjeku ka deklaruar se, në listën e tij të sportistëve kishte lojtarë të kriketit, çiklistë, tenistë, si dhe futbollistë të “Premier League”-s angleze, një nga kampionatet më të ndjekur të futbollit në botë.

“The Sunday Times” e bën të qartë se, nuk ka evidenca të pavarura se mjeku Bonar ka kuruar lojtarët dhe ka si fakt vetëm fjalët e tij. Që nga viti 2010, mjeku pretendon se ka trajtuar më shumë se 150 sportistë britanikë dhe ndërkombëtarë.

Nëse hetimi do të përfundojë me përdorimin e dopingut në sportin britanik, ky do të jetë një grusht i rëndë për reputacionin e institucioneve sportive, pas skandalit që përfshiu Rusinë kohë më parë.

Top Channel