Të hënën nis kthimi mbrapsht i refugjatëve nga Greqia në Turqi

03/04/2016 00:00

Rreth 750 emigrantë do të jenë të parët, që do të dërgohen të hënën nga Greqia për në Turqi, sipas marrëveshjes së risistemimit të vulosur muajin që shkoi mes bllokut europian dhe Ankarasë. Megjithatë, njëri prej dy kampeve turke të pritjes së tyre është ende fushë djerrë.

Dy varka të shpejta turke do të bëjnë transportin e këtij grupi të parë refugjatësh, të cilët, siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve “ANA” do të kontrollohen një për një nga policia e “FRONTEX”-it në ishullin grek të Lesbosit, ku do të bëhet dhe nisja.

Me qindra banorë të qytetit bregdetar turk të Dikilit, ku ndodhet një prej kampeve të skemës së emigrantëve, dolën në protestë të shtunën, duke e bërë të qartë pakënaqësinë e tyre. Sipas gazetës turke “Milliyet”, regjistrimet  e para të hënën do të bëhen në Qendrën Sportive të Dikilit, ndërsa në kampin e dytë të pritjes, atë të Cesmes, tani po shtrohen kabllot elektrike e tubacionet e ujit.

Zyrtarët në Athinë kanë qëndruar gojëkyçur lidhur me transferimet e refugjatëve që dikton marrëveshja BE-Turqi, të dënuara si joetike nga agjencia e OKB-së për refugjatët dhe grupet e ndihmës.

“Planifikimi po përparon, – tha të premten zëdhënësi i Njësisë për Koordinimin e Refugjatëve, Yiorgos Kyritsis, – e ky ishte i vetmi sqarim i dhënë nga zyrtarët grekë.

Vet emigrantët, ndërkohë, janë të dëshpëruar. “Nëse na kthejnë në Turqi do të hidhem në det bashkë me familjen”, tha një sirian i identifikuar vetëm si Mustafa. “Iu larguam ferrit që të shkojmë prapë në ferr”, shtoi ai.

Duke cituar burime pranë qeverisë greke, agjencia franceze e lajmeve “France-Presse” tha se, përgjatë fundjavës në Greqi është llogaritur të mbërrijnë në total rreth 400 policë të “FRONTEX”-it.

Top Channel