Milani dhe Italia në zi, shuhet në moshën 84-vjeçare Cesare Maldini

02/04/2016 00:00

Italia dhe mbi të gjitha Milani sot janë në zi dhe kjo, sepse është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Cesare Maldini, një prej mbrojtësve më të shquar të “djallit”, si dhe ish-trajner i kombëtares italiane të futbollit, por edhe asaj të moshave U21.

I pari i dinastisë Maldini është lindur më 5 shkurt 1932, ka luajtur për Milanin nga viti 1954 deri në 1966-n, duke zhvilluar 347 ndeshje e duke shënuar 3 gola. Gjatë këtyre viteve ka arritur të koleksionojë 4 tituj kampion në Itali, një Kupë Latine, si dhe të parën Kupë Kampionësh të fituar prej kuqezinjve (dhe nga ekipet italiane) në vitin 1963, si kapiten, trofeun e të cilit e ka ngritur në mitikun “Wembley”, pikërisht pas finales së fituar ndaj Benfikës së Eusebios.

Me fanelën “axurre” të Italisë ka zhvilluar 14 ndeshje, mes të cilave 2 në Botërorin e Kilit të vitit 1962. Ka qenë edhe kapiten i kombëtares një vit më pas, në sezonin 1962-63.

Me të varur këpucët në gozhdë nisi punën si trajner, fushë në të cilën la sërish gjurmë. Ai arriti të ngrinte Parmën nga kategoria e tretë C1 deri në Serie B. Por më herët, ai kishte qenë zëvendës i Nereo Roccos te Milani, e më pas kishte drejtuar Foggian dhe Ternanan. Në vitin 1980 u bë zëvendësues i Enzo Bearzot te “axurrët”, një pozicion që e mbajti edhe në vitin 1982, kur Italia fitonte Botërorin në Spanjë.

Vetëm 6 vite më pas do të niste dekadën e tij kushtuar asaj që në Shqipëri e quajmë ekip “Shpresa”, pra do të drejtonte Italinë U21, me të cilën fitoi kampionatin europian për 3 vite me radhë. Në vitin 1998 do të drejtonte Italinë në Botërorin e Francës, kur humbën në çerekfinalet e atij turneu pikërisht ndaj organizatorëve, me 11-metërsha, teksa “Gjelat” u shpallën kampionë bote në fund.

Pas eksperiencës në Botëror, “Cesarone”, siç e thërrisnin me përkëdheli, u bë kryekoordinator i vëzhguesve të Milanit, mori më pas postin e drejtorit teknik në kohën kur kuqezinjtë i drejtonte Fatih Terim dhe ndihmës kishte Mauro Tassottin. Megjithatë pati edhe një arritje të fundit: arriti të kualifikonte Paraguajin në Botërorin e Koresë së Jugut dhe Japonisë në vitin 2002, ku u mposht në 1/8-at nga Gjermania.

Kjo ishte edhe eksperienca e fundit e tij, për t’u tërhequr përfundimisht nga futbolli. Një sport ndaj të cilit dha gjithçka, por jo pak. Jo më kot quhet dinastia “Maldini”, pasi babanë e pasoi i biri, Paolo Maldini, i cili u kthye gjithashtu në një legjendë të kësaj skuadre, ndërsa në kohët e sotme mendohet edhe për fëmijët e këtij të fundit, dy prej të cilëve aktivizohen me ekipet e moshave të po kësaj skuadre.

FOTO GALERI
1/23

Top Channel