Greqia ka humbur vetëm vjet për shkak të krizës ekonomike, por edhe asaj të refugjatëve, 5 përqind të milionerëve të saj, sipas raportit ndërkombëtar të “Millionaire Migration in 2015”.

Sipas të dhënave të tij, 3 mijë nga gjithsej 55 mijë milionerë që gjenden në Greqi, janë larguar drejt SHBA dhe Britanisë së Madhe duke kërkuar më shumë siguri për paratë dhe investimet e tyre. Madje Athina konsiderohet si qyteti me ikjen më të madhe të milionerëve në botë, pasi nga 22 mijë prej tyre, që jetonin në këtë qytet, u larguan 2 mijë ose gati 9 përqind.

Vendi, ku gjatë vitit të kaluar kanë shkuar më shumë milionerë, rreth 8 mijë për të banuar dhe investuar është Australia dhe më pas vijnë SHBA, ku shkuan rreth 7 mijë të pasur. Ndërsa vendin e parë në botë për ikjen e milionerëve e mban Franca pas sulmeve të Parisit dhe kërcënimeve të terrorizmit.

Raporti tregon tendencën e të pasurve për t’u larguar nga vendi i tyre ,vetëm e vetëm që të jetojnë në siguri ata dhe paratë e tyre.

Duke parë këtë tendencë të largimit të të pasurve si dhe thuajse përgjysmimin e depozitave në bankat greke prej fillimit të krizës, qeveria e kryeministit Tsipras është gati të publikojë një amnisti fiskale të pjesshme për të gjithë ata që do të kthejnë paratë e tyre nga bankat e huaja në ato greke.

Megjithëse ende nuk janë bërë të njohura detajet, ligji parashikon dënime dhe gjoba të rrepta për ata që nuk deklarojnë depozitat e tyre jashtë vendit dhe nuk i justifikojnë ato.

Vetëm për depozituesit e së famshmes “Lista Lagarde”, me mbi 2 mijë grekë evazorë, qeveria ka vënë deri tani gjoba mbi 200 milionë euro, ndërsa dëmet mbi ekonominë greke nga evazioni fiskal  llogariten në gati 20 miliardë euro.

Top Channel