BDI ikën prej përgjimeve: Fabrikim! Institucionet dështuan t’i parandalojnë

01/04/2016 00:00

Nga radhët e BDI-së, 7 ministra dhe 5 zëvendësministra kanë dorëzuar të premten dorëheqjet e tyre në Qeverinë e Maqedonisë. Kryeministri i qeverisë teknike Emil Dimitriev ka afat deri të hënën për të konstatuar dorëheqjet e anëtarëve shqiptarë të kabinetit të tij, që përbëhet nga 26 ministra.

BDI nuk ka sqaruar nëse deri të hënën do të propozojë emra të rinj për t’i zëvendësuar ministrat e dorëhequr, apo do ta braktisë përfundimisht ekzekutivin. Për këtë do të vendosë kreu i partisë, Ali Ahmeti.

Shkak për largimin e ministrave shqiptarë nga ekzekutivi, sipas njoftimit zyrtar të BDI-së, u bë publikimi i bisedave të përgjuara telefonike për funksionarët e saj. Partia shqiptare e drejtuar nga Ali Ahmeti i quajti të falsifikuara materialet e përgjuara dhe kërkoi nga institucionet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme për të arrestuar falsifikatorët dhe botuesit e përgjimeve të montuara.

Edhe krahas dorëheqjes të 7 ministrave të BDI-së, Qeverisë nuk i rrezikohet mandati. Një gjë e tillë, sipas Kushtetutës mund të ndodhë vetëm nëse largohen 1/3-ta e ministrave, por për të ndodhur kjo, duhet të largohen të paktën 9 ministra.

Top Channel