De Biasi për Italinë, shtohen zërat për stolin “e kaltër”

01/04/2016 00:00

Në fillim ishte vetëm një ide e vakët për të sjellë një trajner “low cost” në drejtimin e kombëtares së Italisë, por largimi i paralajmëruar i Antonio Contes ka vënë në pozita të vështira Federatën italiane të Futbollit.

Gianni de Biasi ka mbirë sërish në mediat italiane si një kandidat potencial për pankinën e “të kaltërve”, gjithmonë pas Europianit 2016, ku si Conte, si pasardhësi i përfolur, do të jenë protagonistë.

Prestigji i trajnerit aktual të Shqipërisë sigurisht nuk është në nivelin e Claudio Ranierit që po bën mrekulli te Leicester City në kampionatin anglez, por ajo çfarë tekniku nga Trevizo regjistroi në eliminatore me kuqezinjtë, mbetet në kufijtë e një misioni të pamundur, por që u realizua.

Sipas portaleve sportive, Gianni de Biasi arriti të çojë Shqipërinë për herë të parë në Europian dhe tekniku nga Veneto konsiderohet si hyjnor në Tiranë.
 
Drejtuesit e federatës italiane kanë biseduar me De Biasin për mundësinë e drejtimit të kombëtares “axurre”, kur u takuan më 7 mars për çmimin e “Pankinës së Artë”.

Kreu i FIGC ka sonduar personalisht terrenin me teknikun e Shqipërisë, dhe në pritje të përgjigjeve të Donadonit dhe Ranierit, ka marrë pëlqimin e De Biasit, se mund t’ia marrë Shqipërisë pas korrikut.

De Biasi aktualisht paguhet sa gjysma e trajnerit aktual të Italisë, Antonio Conte.

Top Channel