Greqi, incidente të shumta nëpër kampe; Skepticizëm për zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi

01/04/2016 00:00

Vetëm disa ditë para së të hyjë në fuqi edhe praktikisht marrëveshja midis BE-së dhe Turqisë për riatdhesimin e refugjatëve që kanë kaluar nga Turqia në Greqi pas datës 20 mars, gjendja në disa qendra pritjeje apo kampe konsiderohet e tensionuar dhe kaotike.

Duke mos dashur të rithehen në Turqi, qindra refugjatë janë larguar, duke kaluar gardhet nga pika e regjistrimit dhe e identifikimit në ishullin grek të Hios, si dhe kanë kërkuar të shkojnë në Pire me anije.

Mbrëmjen e së mërkurës në këtë “hotspot” kanë shpërthyer përleshje midis emigrantëve, për arsye që ende mbeten të panjohura. Të paktën 10 persona janë plagosur në këto konfrontime, prej të cilëve dy janë qëlluar me thikë, ndërsa edhe “Mjekët pa Kufij” kanë njoftuar se, në zyrat e tyre janë bërë dëme të mëdha në aparatura dhe barna mjekësore.

Incidente të dhunshme, gjatë të cilave refugjatët kanë përdorur me njëri-tjetrin edhe thika, ka pasur edhe në Idomeni, siç dëshmojnë edhe fotografitë që qarkullojnë në mediat greke. Qeveria greke ka kërkuar durim për zbatimin e një plani, sipas të cilit – deri për Pashkët ortodokse – të evakuojë këtë kamp provizor, si dhe të normalizojë situatën në Portin e Pireut, ku janë më shumë se 5.350 persona.

“Turpi i Idomenit dhe turpi i portit do të ndalen. Por do të marrë kohë, do ta organizojë shteti. Kjo do të ndodhë. Nuk besoj se doni që të ndërhyjnë forcat speciale, apo doni? Nuk doni. Nuk doni që të hedhim gaz lotsjellës mes fëmijëve, apo doni? Jo, nuk doni. Kemi nevojë për kohë dhe organizim”, tha ministri i Emigracionit, Janis Muzalas.

Ndërkohë, për të 13-n ditë me radhë në Idomeni, disa prej refugjatëve kanë bllokuar linjën hekurudhore me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke penguar lëvizjen e trenave të mallrave.

Sipas opinionit publik dhe disa analistëve në media, janë shumë të paktë ata që besojnë se Turqia do të fillojë të zbatojë marrëveshjen dhe do të marrë pas qindra e mijëra refugjatë, ndaj dhe Komisioneri për Emigracionin, Avramopoulos ka planifikuar ditën e hënë një vizitë urgjente në Ankara.

Një tjetër pengesë serioze, sipas organeve greke, është edhe fakti që BE nuk ka dërguar as gjysmën e specialistëve në Greqi, të cilët janë ngarkuar me proceset e ridërgimit pas të refugjatëve, që kanë hyrë në ishujt grekë në 11 ditët e fundit dhe që tashmë konsiderohen ilegalë.

Top Channel