Bashkimi Demokratik për Integrim ka argumentuar vendimin e marrë një ditë më parë për të tërhequr të gjithë ministrat nga qeveria e Maqedonisë, duke renditur mes tyre edhe përgjimet.

“BDI besoi me përkushtim në procesin e reformimit të mendësisë dhe të institucioneve, por me keqardhje konstatojmë që ky proces tashmë është kompromentuar, fillimisht si pasojë e prodhimit të mijëra përgjimeve të paligjshme dhe më pas edhe të distribuimit të tyre në duar të krimineleve me qëllim të keqpërdorimit të tyre”, thuhet në deklaratë.

Forca më e madhe politike e shqiptarëve në fqinjin tonë lindor fajëson për këtë edhe institucionet dhe mungesën e reagimit të tyre.

“Ky hap i joni është vazhdimësi e përpjekjeve tona të parreshtura për demokraci dhe për një sistem të reformuar shoqëror dhe politik. Shprehim edhe indinjatë të thellë për prodhimin, tregtimin dhe shpërndarjen e materialeve audio të montuara që fabrikohen me tendencë të dëmtimit të procesit dhe rrënimit të përpjekjeve për reforma”, thuhet në komunikatë.

BDI thotë se që nga nisja e publikimit të përgjimeve të para, kjo forcë politike ka kërkuar më këmbëngulje që të bëheshin publike ato që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, por në mungesë të tyre…

“Qëndrat që e luftojnë BDI-në qysh nga viti 2002, po prodhojnë montime dhe fabrikime të përgjimeve të cilat janë absolutisht të papranueshme dhe paraqesin metodën më të ulët dhe jonjerëzore të sulmeve politike dhe personale”, thuhet në komunikatë.

Në fund BDI kërkon nga institucionet e vendit, në veçanti Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të arrestuar falsifikatorët, distribuesit dhe botuesit e përgjimeve të montuara.

Top Channel