Tifozi bën tatuazh Inzaghin në pulpë. Sulmuesi: E ke tepruar!

01/04/2016 00:00

Dashuria të bën të bësh veprime të çuditshme, që kurrë nuk do t’i kishim imagjinuar. Nuk ka rëndësi nëse veprimet bëhen ndaj një femre apo ndaj një idhulli. Sepse kur vendos të bësh tatuazh fytyrën e idhullit tënd në pulpë, po bën diçka që nuk fshihet dot më dhe ndoshta kjo është më shumë se dashuri.

Gjithsesi, nëse kjo fytyrë është e atij që e ka çuar ekipin e zemrës në majën e botës, ndoshta çmenduria mund të justifikohet. Po flasim për fytyrën e Filippo Inzaghit. Sulmuesi i Milanit nuk duhet të ishte fare në fushë për finalen e Champions League të vitit 2007, por Carlo Ancelotti vendosi ta aktivizonte edhe pse jo në formë të mirë fizike. Rezultati? Milani fitoi për herë të shtatë në histori Ligën e Kampioneve falë dy golave të Superpippos.

Fytyra e sulmuesit pas golit të dytë që i shënoi Liverpulit është tashmë në pulpën e një 20-vjeçari italian nga Bergamo.

Pasi e ka marrë vesh, Inzaghi e ka falenderuar tifozin nëpërmjet Facebook-ut, por i ka thënë edhe se e ka ekzagjeruar paksa.

“Një gjest që vlen më shumë se 1000 fjalë… Faleminderit!!! Por, më duket se këtë herë e ke tepruar”, shkruan Inzaghi.

Top Channel