Pas fitimit të pafajësisë, Sheshel: I kthehem fuqishëm politikës

31/03/2016 00:00

Udhëheqësi i radikalëve serbë është i lirë. Pas vendimit të Gjykatës së Hagës për Krime Lufte, ku ai nuk u shpall fajtor edhe pse ishte ideator i politikës së Serbisë së madhe, Sheshel ka thënë se do t’i kthehet politikës fuqishëm.

Interesimin e madh të mediave, ai e ka komentuar si mundësi për të shitur bileta hyrëse nëpër konferenca.

“Gjyqtarët treguan profesionalizëm dhe nder, pavarësisht presioneve politike. Kjo nuk ndryshon mendimin tim për Gjykatën e Hagës, si gjykatë antiserbe dhe instrument i rendit të ri botëror. Më vjen keq, që miqtë e mi dhe Radovan Karaxhiç nuk patën gjyqtarë të ndershëm”, tha Vojislav Sheshel, kryetar i radikalëve serbë.

Gati 13 vite në selitë e Sheveningenit, Sheshel ka fyer shpesh drejtësinë. Është liruar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, por fuqinë e tij politike e ka treguar më shumë se kurrë.

Partia e tij ngeli jashtë Kuvendit, pasi kumbari i tij Tomislav Nikoliç, tani President, si dhe kryeministri Aleksandar Vuçiç e braktisën sa ishte në Hagë. Sheshel njihet si një nga krerët e lëvizjeve cetnike.

Vuçiç e Nikoliç nuk e komentuan shumë vendimin ndaj tij, pavarësisht se serbët ankohen nga vendimet e Hagës.

“Jam indiferent, nuk kam asnjë ndjenjë ndaj tij”, tha Tomislav Nikoliç, President i Serbisë.

Vuçiç ka thënë se, asnjë vendim nuk do të ketë pasoja për Serbinë, por për më shumë do të flasë në konferencat e radhës. Lirimin e Sheshel nuk e kanë pritur me kënaqësi as në Bosnje e Kroaci.

Top Channel