Premier League, Leicester mund të fitojë titullin më 24 prill

31/03/2016 00:00

Leicester mund të kurorëzohet kampion i Premier Leagues tre ndeshje nga fundi, nëse rivalët për titull arrijnë të njëjta rezultate ndaj kundërshtarëve të tyre si në fazën e parë të kampionatit.

Skuadra e Claudio Ranierit aktualisht është në krye të klasifikimit të kampionatit anglez me pesë pikë më shumë se Tottenhami i vendit të dytë, ndërkohë që kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në fund.

Kundërshtari i ardhshëm i Leicester është Southampton, i cili pasohet nga Sunderland dhe West Ham. Në fazën e parë të kampionatit, përballë këtyre kundërshtarëve, Leicester grumbulloi 7 pikë, që në rast se përsëritet atëherë “dhelprat” mund të shkonjnë në kuotën e 73 pikëve me 4 ndeshje nga fundi.

Ndërkohë, Tottenham nuk ka arritur më shumë se dy barazime dhe një humbje ndaj tre kundërshtarëve të ardhshëm, Liverpool, Manchester United dhe Stoke City.

Arsenal dhe Manchester City, që kanë ngelur 11 dhe 15 pikë mbrapa Leicester, kanë nga një ndeshje më tepër për të luajtur për shkak të angazhimeve në Kupë, dhe nëse rezultatet përsëriten ashtu si fazën e parë, ata do të grumbullojnë respektivisht 6 dhe 12 pikë në 4 ndeshjet e tyre ndërsa aq mbesin për t’u luajtur.

Kjo do të thotë se Leicester do presë javën e 35 të kampionatit me 10 pikë më tepër se Manchester City dhe Tottenham, dhe 12 pikë më shumë se Arsenali, ndërsa luhet edhe për 12 pikë të tjera.

Në fundjavën e 23 dhe 24 prillit, City, Arsenal dhe Leicester luajnë të dielën, ndërsa një ditë më pas, të hënën e 25 prillit, Tottenham pret në shtëpi West Bromin.

City luan me Stoke, kundërshtar me të cilin ka humbur në fazën e parë të kampionatit dhe nëse i njëjti skenar përsëritet atëherë ata do të mbesin në kuotën e 63 pikëve edhe pas javës së 35, ndërsa do të luajë edhe 3 ndeshje.

Arsenal luan në transfertën ndaj Sunderland dhe nëse fiton, ashtu siç kishte bërë edhe në fazën e parë të kampionatit, shkon në kuotën e 64 pikëve. Në teori ata ende janë në lojë për titull dhe mund shpallen kampion falë goldallimit, por me kushtin që Leicester të humbasë të gjitha ndeshjet e mbetura.

Të dielën e 24 prillit, pasi të kenë përfunduar ndeshjet e tyre Arsenal e City, Leicester pret Swansean në orën 18:15. Nëse ata përsërisin suksesin e ndeshjes së parë prej 3-0 ndaj uellsianëve, kjo do të thotë se ata shkojnë në kuotën e 76 pikëve, me 13 pikë më shumë se Tottenham.

“Dhelprat” mund të festojnë një ditë më pas nëse West Brom arrin të marrë një barazim në “White Hart Line”, ashtu si në ndeshjen e parë të zhvilluar në shtëpinë e tyre.

Kjo do të thotë se Tottenham do të shkojë në kuotën e 64 pikëve me tre ndeshje nga fundi. Për të mos i lënë asgjë llogaritjeve të golave të shënuar e të pësuar, Leicester mjaftohet me një barazim në tre ndeshjet e mbetura dhe gjithçka do të mbyllet në të mirë të tyre.

Në tre ndeshjet e fundit, Leicester luan me Man Utd, Everton dhe Chelsea, kundërshtarë ndaj të cilëve ka marrë 7 pikë nga 12 të mundshme në pjesën e parë të kampionatit. Ndërkohë, Tottenham nuk ka mundur të marrë më se 4 pikë ndaj tre kundërshtarëve të saj të fundit, Chelsea, Southampton dhe Newcastle.

Kundërshtarët e ardhshëm të skuadrave që luftojnë për titull:

Leicester
Southampton (B)*
Sunderland (F)
West Ham (F)
Swansea (F)
Man Utd (B)
Everton (F)
Chelsea (F)

Tottenham
Liverpool (B)
Man Utd (H)
Stoke (B)
West Brom (B)
Chelsea (B)
Southampton (F)
Newcastle (H)

Arsenal
Watford (F)
West Ham (H)
Crystal Palace (F)
West Brom (H)
Sunderland (F)
Norwich (B)
Man City (F)
Aston Villa (F)

Man City
Bournemouth (F)
West Brom (F)
Chelsea (F)
Newcastle (F)
Stoke (H)
Southampton (F)
Arsenal (H)
Swansea (F)

*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të fazës së parë
(F) – Fitore
(B) – Barazim
(H) – Humbje

Top Channel