Kosovë, studimi: Ja nga se ndikohen emrat e të porsalindurve kosovarë

31/03/2016 00:00

Emrat, që shqiptarët e Kosovës u vendosin foshnjave të sapolindura, ndikohen më së shumti nga ngjarjet historike të vendit në periudha të ndryshme. Gjatë kohës së regjimit serb gjen Asdren apo Lasgush, e mbi të gjitha emra qytetesh, lumenjsh e liqenesh të Shqipërisë, si Fierzë e Sazan, Butrint, Elbasan, Berat, e të tjerë. Ndërsa nuk mungojnë as emra të përveçëm si Kosovë, Atdhe ose Kombëtar.

Kosovare Maliqin, të lindur gjatë regjimit të Milosheviçit, gjyshi vendosi ta quante kështu për hir të dashurisë ndaj Kosovës.

“Këtu në Kosovë është normale ta kesh emrin Kosovare. Zakonisht kur kemi shkuar te miqtë tanë në Shqipëri, rrethi më i gjerë i tyre ka pasur reagime ngs më të çuditshmet, mirëpo mua më duket normale ta kem emrin Kosovare”, tha Kosovare Maliqi, qytetare e Prishtinës.

Shqiptar Mehani, i lindur në 1984-n, e gëzon këtë emër për shkak se është anëtar i një familjeje të përndjekur nga regjimi serb. Emrin ia ka vënë i ati, ish-i burgosur nga regjimi, i cili i ka vënë emrin një tjetër vajze, Patriote. Shpesh në kufi, Shqiptari tregon sesi ia ngatërrojnë emrin me kombësinë.

“Kur kam dorëzuar dokumentet, zyrtari kufitar më pyeti sesi e kisha emrin. Nuk e kishte besuar që mund të ndodhte të kishte edhe emër Shqiptar. Ai ka menduar se është nacionaliteti im dhe nuk më shkruhet emri”, tha Shqiptar Mehani, qytetar i Prishtinës.

Bazuar në studimin “Motivimi i emërtimit të fëmijëve në Kosovë 1912-2008”, me autorë Ali dhe Nebi Caka, emrat e kosovarëve janë ndikuar nga Pavarësia e Shqipërisë, Lufta e Dytë Botërore, demostratat e studentëve dhe fillimi i Luftës Çlirimtare.

Sipas studiuesit Ali Caka, kjo ka ndodhur për shkak të dëshirës së shqiptarëve të Kosovës për të ruajtur identitetin dhe dashurisë ndaj shtetit amë. Ndërsa vihet re se, pas mbarimit të luftës së fundit, fëmijët në Kosovë janë pagëzuar edhe me emra si TonyBlair, apo me emrin Pavarësi pas 2008-s. Kjo tendencë po ndryshon dhe, siç tregojnë statistikat e fundit në vitin 2014, emrat më të shpeshtë kanë qenë Erina për vajzat, dhe Diar për djemtë.

Top Channel