Lojtarët më të urryer, në krye Materazzi, mungon Benzema

31/03/2016 00:00

Në futboll ka lojtarë që janë shumë të urryer nga tifozëria dhe këtë e tregon edhe një klasifikim i përpiluar nga “France Football” duke marrë për bazë opinionin e tifozërisë franceze.

Ajo që të bën përshtypje është se në këtë listë mungon emri i Karim Benzema, pavarësisht përfshirjes së sulmuesit në një sërë skandalesh, ndërkohë që figuron emri i Valbuenës.

“France Football” ka vendosur në krye të listës së futbollistëve më të urryer Marko Materazzin. Në vendin transalpin askush nuk e ka harruar provokimin e mbrojtësit italian ndaj Zidane në finalen e Kupës së Botës duke e detyruar kapitenin e “bluve” të asaj kohe ta godasë atë me kokë.
 
Në vendin e dytë si futbollisti më i urryer është Samir Nasri i cili nuk u grumbullua në skuadër nga Deshamps për Botërorin 2014. Kjo bëri që ai të shpërthejë duke deklaruar se nuk do të kthehet në kombëtare edhe sikur babai i tij të ishte trajneri i saj.

Podiumin e këtij klasifikimi e plotëson pikërisht Valbuena për shkak të simulimeve që kryen në fushën e lojës. Skandali i videos erotike nuk e ndihmon aspak, ndërkohë që tifozët e Marseille e cilësuan tradhtar pas kalimit të tij te Lyon.

Klasifikimi i më të urryerve vijon me Franck Ribery, imazhi i të cilit u dëmtua shumë nga çështja “Zahia”. Ai që plotëson pesëshen e lojtarëve më të urryer sipas “France Football” është Patris Evra,i cili humbi shumë pikë për shkak të një deklarate që bëri pas humbjes së Francës në miqësoren me kombëtaren tonë ku ai sulmoi hapur pjesën tjetër të skuadër si dhe trajnerin Deshamps duke i cilësuar si shkaktarë të disfatës.

“France Football” vendos në listën e saj edhe portierin e gjermanisë, Shumaker të Botërorit 1982 për shkak të një goditje ndaj Batiston, por nuk mungojnë as Tiago Motta, Fioreze, Brandao dhe Emir Spahic.

Top Channel