Një peng britanik që kishte pozuar për një foto me rrëmbyesin e avionit të “EgyptAir”, e ka quajtur atë, selfien më të mirë në histori, por edhe ka bërë të ditur se nuk guxonte ti tregonte nënës së tij të frikësuar se çfarë kishte bërë.

Ben Innes, 26-vjeç, i kishte shkruar një SMS nënës së tij, disa minuta pasi kishte dalë në foto me Seif Eldin Mustafa, egjiptianin që kishte rrëmbyer avionin me të cilin ai udhëtonte dhe e kishte devijuar atë drejt Qipros.

Pa ditur se çfarë kishte bërë i biri, nëna e shqetësuar e 26-vjeçarit, i kishte thënë të mos bënte asgjë që do të tërhiqte vëmendjen tek ai deri sa drama që po shfaqej në televizionet e gjithë botës, të përfundonte.

Innes, ishte një nga katër të huajt dhe pjesëtarët e ekuipazhit që u mbajtën peng nga Mustafa, gjatë negociatave që zgjatën për gjashtë orë. Por, në vend që të përfshihej nga paniku, për atë që po ndodhte, Innes, u duk i qetë dhe bëri edhe një selfie të cilën ua nisi miqve të tij në Britani.

“Nuk jam i sigurt përse e bëra, thjeshtë u tregova i pakujdesshëm ndërsa përpiqesha të ruaja optimizmin në një situatë të vështirë”, tha ai për të britaniken “The Sun”.

Imazhet e Ben Innes, pranë rrëmbyesit të avionit, në fakt, janë bërë të famshme në mediat sociale.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel