Ata rikthehen përsëri të sjellin një tjetër dasmë të madhe greke. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 14 vite, asnjëri prej aktorëve nuk mungon në serinë e dytë, që vjen “premiere” më 31 mars.

Kinema “Imperial” është gati të mirëpresë këtë komedi shumë të dashur në mbarë botën.

“Shpresohet shumë që edhe seria e dytë e saj të jetë mjaft e suksesshme, pasi publiku ka pritshmëri, i pëlqen shumë komedi të tilla me nota romance. Në rrjetin e kinemave Imperial, ne do t’i japim vëmendjen e duhur edhe kësaj premiere, e cila vjen në kohë reale edhe në Shqipëri. Do të kemi surpriza nga më të ndryshmet edhe për audiencën tonë”, tha Altin Prifti, drejtor i “Imperial”.

Në serinë e parë, prodhuar në vitin 2002, filmi arkëtoi 370 mln dollarë, ndërsa prodhimi i tij kushtoi vetëm 5 mln USD. “Martesa greke” duket se e ka suksesin në zgjidhjen e problemeve me humor, ndërthurur me traditat mesdhetare të vendit fqinj.

“Ne gjejmë veten te traditat e fqinjëve tanë. Populli grek është një popull me shumë humor. Edhe mënyra sesi trajtohen situatat, të krijojnë ndjenjën e humorit dhe njerëzit e pëlqejnë këtë”, tha më tej drejtori Altin Prifti.

Komedia do të nisë projeksionet të enjten në mbrëmje, për të vijuar përgjatë të gjithë javës në rrjetin “Imperial”.

Top Channel