Lenjani dremit, Cana shpërndan foton në “Instagram”

30/03/2016 00:00

Fitorja me Luksemburgun u duk për skuadrën një formalitet që duhej kryer, ndërkohë që ai që kërkonte përgjigje për enigmat ishte trajneri De Biasi, i cili eksperimentoi majftueshëm me formacionin mbrëmjen e së martës.

Por, ata që nuk luajtën kaluan një ‘udhëtim’ të qetë, në qytet-shtetin e Europës Qendrore, në pritje të rikthimit në skuadrat e tyre. Një prej tyre është kapiteni Cana, që pasi shënoi edhe ndeshjen e 90 më fanelën kuqezi, tani ndihet edhe më i plotësuar, në pritje të finaleve të Europianit, të parit e me shumë gjasa edhe të fundit për karrierën e tij.

Kapiteni, si edhe shumë herë të tjera është mundur të prodhojë disa momente gazmore, këtë herë me një nga miqtë e tij më të afërt, aktualisht edhe shok skuadre, Emir Lenjanin. Ndërsa ky i fundit dremiste në autobus, Cana ka shkrepur disa foto dhe nuk është kursyer t’i ndajë me fansat e tij në rrjetet sociale.

Lenjani mbase ka të drejtë të dremisë, pasi është ‘lodhur’ pak më shumë se të tjerët duke u aktivizuar në të dy impenjimet e fundit të kombëtares, teksa të shtunën shënoi golin e vetëm ndaj austriakëve, ndërsa përballë Lukesmburgut provoi aftësitë e tij në repartin e tërhequr, si mbrojtës i majtë.

Që nga dita e sotme, e mërkurë, futbollistët e kombëtares shpërndahen në skuadrat e tyre, në pritje të zyrtarizimit mes 23 të përzgjedhurve, që De Biasi do të marrë me vete në Francë muajin qershor.

Top Channel