Fitorja në Luksemburg kënaq De Biasin: Zhvilluam një lojë të mirë

30/03/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare shënoi një fitore bindëse 2-0 në sfidën miqësore me Luksemburgun, edhe pse me shumë ndryshime në formacionin bazë. Në përfundim të takimit, trajneri De Biasi e vlerësoi lojën e skuadrës së tij, por nuk harroi të bëjë të njëjtën gjë edhe për skuadrën e Luksemburgut.

“Të gjithë do të thonë që fituam ndaj Luksemburgut, por unë dua të kujtoj se, kjo skuadër fitoi ndaj Greqisë pak kohë më parë, ndërsa para dy vitesh barazoi me Italinë”, tha De Biasi. “Ndeshjet duhen luajtur, pasi të gjithë kundërshtarët janë të organizuar dhe kërkojnë t’i vështirësojnë gjërat. Ajo që më pëlqeu është se, lojtarët ishin të përqendruar dhe loja e zhvilluar ishte e mirë”, shtoi më tej ai.

De Biasi nuk pranoi ndarjen në “Shqipëria 1” dhe “Shqipëria 2” të kombëtares. Sipas tij, në ndeshjen me Luksemburgun luajti “Kombëtarja”.

“Nuk ka ‘Shqipëri 1’ dhe ‘Shqipëri 2’ në kombëtaren tonë. Të gjithë lojtarët janë të barabartë dhe mund të luajnë të gjithë në varësi të momentit dhe kundërshtarit, por duke synuar përmirësimin e mëtejshëm në disa aspekte”, përfundoi deklaratën tekniku italo-shqiptar.

Top Channel