Me tone të ashpra është zhvilluar, deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, debati në Parlamentin grek për reformën në drejtësi dhe korrupsionin politik, ku vendin kryesor e kanë zënë polemikat midis kryeministrit Tsipras dhe kreut të opozitës konservatore, Kyriakos Mitsotakis.
“Do të sjell në Parlament një projektligj, që do të anulojë të paktën 13 ndërhyrjet antikushtetuese që keni bërë ndaj drejtësisë”, ka thënë kryeministri grek, që ka kërkuar krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar kreditë shumëmilionëshe ndaj partive që kanë udhëhequr Greqinë në të kaluarën, si dhe ndaj mediave që i kanë mbështetur.
“Do të dorëzojmë propozimin për krijimin e një komisioni parlamentar, që do të shqyrtojë kontratat e kredisë, që nënshkruan bankat me partitë politike dhe me mediat”, tha Αlexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
“Guxo të shkosh në zgjedhje dhe do të shohim kush do të jetë rezultati”, ka replikuar kreu konservator, Kyriakos Mitsotakis, i cili ka kërkuar një komision tjetër parlamentar për faktin që Greqia pranoi një paketë të tretë ndihme, si dhe për rikapitalizimin e bankave.
“Përderisa nuk mund të qeverisni, të jepni dorëheqjen zoti Tsipras. Të ikni para se ta çoni vendin drejt katastrofës. E çuat vendin 3 herë në zgjedhje. Tani ka një arsye kombëtare: Greqia nuk ju duron më”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.
“Harroji zgjedhjet, janë pas 4 vitesh”, ka qenë përgjigjja e Alexis Tsipras, që ka theksuar se qeveria e tij është e vendosur t’i çojë deri në fund reformat, si në drejtësi, ashtu dhe në sektorët e tjerë, duke vazhduar luftën ndaj korrupsionit, si një nga plagët më të mëdha të politikës në dekadat e fundit.
Top Channel