Alves shpëton Brazilin në Paraguaj, tjetër fitore për Argjentinën

30/03/2016 04:40

Argjentina dhe Brazili luajtën dy sfida mjaft të rëndësishme për eliminatoret e Botërorit të Rusisë. E udhëhequr nga Lionel Messi, Argjentina fitoi lehtësisht ndaj Bolivisë, ndërsa Brazili nuk arriti më shumë se një barazim 2-2 në fushën e vështirë të Paraguajit.

Një gol nga Mercado dhe një 11-metërsh i kthyer në gol nga sulmuesi i Barcelonës i dhanë fitoren 2-0 Argjentinës në fushën e saj ndaj Bolivisë. Një fitore mjaft e rëndësishme, pasi u ngjit në vendin e tretë në klasifikim, tashmë vetëm 2 pikë larg nga Uruguai dhe Ekuadori që mbajnë vendin e parë dhe të dytë me nga 13 pikë.

Dunga befasoi me formacionin e hedhur në fushën e lojës ndaj Paraguait vendas, duke lënë në stol lojtarë si Hulk, Oscar, Coutinho, ndërsa mungonte edhe kapiteni Neymar.

Deri në minutën e 79 vendasit e Paraguajit zhvilluan një ndeshje perfekte, duke e dominuar në çdo drejtim Brazili, ndërsa shënuan edhe dy gola. Në minutën e 40 realizoi Lezcano, ndërsa 4 minuta nga nisja e pjesës së dytë, Benitez dyfishoi shifrat.

Por, zëvendësimet e trajnerit të Brazilit rezultuan efektive. Hulk zëvendësoi Fernandinhon, duke i dhënë një tjetër ritëm lojës së “Seleçaos”. Në minutën e 79 ai lëshoi një goditje të fortë drejt portës, të cilën portieri i vendasve nuk arriti ta zotërorntë, Oliveira u tregua më i shpejtë nga mbrojtësit duke e kthyer në gol.

Kur u mendua se Paraguaji arriti një fitore të madhe, mbrojtësi i krahut Alves shënoi golin e barazimit për Brazilin duke e vulosur sfidën në 2-2.

Pavarësisht se luante në një fushë të vështirë, Brazili kërkonte tre pikët nga kjo ndeshjes, pasi aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në klasifikim, pozicion i cili e lë jashtë Botërorit të Rusisë, nëse eliminatoret do të mbylleshin tani.

Top Channel