Notat e kombëtares, Kaçe e Cikalleshi bëjnë diferencën

29/03/2016 22:30

Duket se trajneri Gianni De Biasi pas kësaj ndeshjeje nuk ka shumë dyshime për 23 futbollistët që do të marrë në Francë, por me shumë gjasa ka të qarte dhe 11-shen fikse për 3 ndeshjet në grup.

Madje sot mund të thuhet me plot gojë që Kaçe ka hyrë me dhunë në skuadër, sikundër Çikalleshi, e me shumë gjasa edhe Lenjani.

Berisha, 6 – Ishte vetëm spektator në 45 minutat e para dhe në ato raste kur thirret në apel, ja del me qetësi.

Veseli, 6 – Një futbollist fizikisht i fortë, në vendosjen mbrojtëse I kujdesshëm, por shumë i paqartë në veprimet sulmuese. Në ato pak raste që kaloi gjysmëfushën, gaboi në krosime.

Ajeti, 6.5 – Pozicional, mbrojtës i fortë dhe me lëvizje të mira. U vu pak në provë, por tregon që është alternativë e sigurtë.

Gjimshiti, 6.5 – Është modeli i një mbrojtësi modern. Shumë i fuqishëm dhe shumë konfidencial me pjesën tjetër të skuadrës.

Aliji, 6 – Ndeshja me Francën ka hyrë në arkivë si më e mira. Me Luksemburgun nuk kishte asnjë ngjashmëri, ndoshta e imponuar nga kundërshtari.

Kukeli, 5.5 – Pritej një ndeshje më e mirë e qendërmesfushorit, por dëmtimet dhe minutat e pakta në aktivizim e kanë lënë mbrapa. Me shumë gjasa mund të humbasë vendin në formacion.

Basha, 6.5 – Pas një pjese të parë të zbehtë, në të dytën loja e tij ndryshoi ndjeshëm, duke vënë në lëvizje repartin e mesfushës.

Memushaj, 5 – Prania e vlonjatit në fushë u kuptua vetëm në momentin kur u krye zëvendësimi. Nuk ishte në ditën e tij dhe konfuzioni që pati mesfusha e përfshiu dhe lojën e tij.

Shala, 5.5 – Një lojtar shumë i thjeshtë në veprime dhe pa fuqinë për t’u imponuar në repartin sulmues. Pritej më shumë.

Gashi, 5 – Nuk dha sinjalet e një sulmuesi potent. Mungesa e gjatë e aktivizimit kishte lënë shenja të dukshme në lojën e sulmuesit që është transferuar në Amerikë.

Cikalleshi, 7 – I vemti lojtar që bën diferencën në repartin sulmues, edhe kur skuadra është nën zë. I fuqishëm në lojën pa top dhe i papërmbajtshëm kur i vjen mundësia për të shënuar.
Kaçe, 7 – Nëse në Austri na zhgënjeu me kartonin e kuq, 45 minutat në Luksemburg ishin sinjali direkt për De Biasin se e meriton fanelën e titullarit. Ndryshoi lojën me veprimet e tij.

Rashica, 6 – Një debutim shumë i mirë për 19-vjeçarin, i cili në ato pak prekje me topin tregoi elegancë, nuhatje dhe klas.

Sadiku, 6.5 – I mjaftuan vetëm pak minuta që të shkonte te goli. Në balotazhin për emrat e sulmit që do të shkojnë në Francë ka filluar ta shkruajë emrin me gërma kapitale.

Roshi, 6 – Edhe pse u vendos në repartin mbrojtës, tregoi se veprime shumë të mira. Është i fuqishëm, por i mungon pak besimi, veçanërisht në veprimet individuale.

Lenjani, 5.5 – Edhe kosovari luajti në pozicionin e tërhequr, ndryshe nga pozicioni i tij i zakonshëm. De Biasi po e shikon si alternativë në raste të veçanta.

Top Channel