Përjetësimi i Johan Cruyff në Barcelonë dhe Amsterdam

29/03/2016 00:00

Vdekja e Johan Cruyff në moshën 68-vjeçare hidhëroi mbarë botën e futbollit, por dy vende në veçanti, Amsterdamin dhe Barcelonën. Dy qytete ku trashëgimia e tij futbollistike është edhe më e prekshme.

Për ta pëjetësuar për atë që ka dhënë për klubin katalanas, tifozët e Barçës kanë propozuar ndryshimin e emrit te stadiumit nga “Camp Nou” në “Johan Cruyff Stadium”.

Mbështetja e madhe që ka gjetur mes tifozëve, ka shtyrë bordin drejtues të Barcelonës ta diskutojë këtë ide.

E përditshmja spanjolle “Sport” një nga mbështetësit mediatik më të mëdhenj të këtij propozimi, ka kërkuar nga tifozët e “El Clasicos” të nderojnë në minutën e 14 legjendën Johan Cruyff, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.

Por një mundësi më konkrete ka ardhur nga Amsterdami. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit holandez, Eberhard van der Laan, ka deklaruar në një media lokale se njerëzit kanë filluar që tani ta thërrasin “Johan Cruyff Arena”.

Sipas kryebashkiakut, ky stadium nuk do të ishte ndërtuar kurrë, nëse Cruyff nuk do të kishte ekzistuar. Edhe Edvin van der Saar, drejtues i Ajaksit nuk e mohon këtë mundësi.

Legjenda e Johan Cruyff është aktualisht prezente në botën e Ajaksit. Jashtë stadiumit është statuja e tij, ndërkohë që dhomat e zhveshjes së dhe qendra sportive mbajnë prej vitesh emrin e tij.

Top Channel