Rashica te Chelsea? Ja precedenti

29/03/2016 00:00

“Corriere dello Sport” konfirmoi interesimin e Napolit për talentin shqiptar, Milot Rashica. 20-vjeçari po shkëlqen te Vitesse në këtë sezon dhe pasi e grumbulloi në Kombëtare, trajneri Gianni De Biasi tha se “për nga karakteristikat fizike dhe vrapi ngjason me Callejon”.

Mirëpo, fjalët e trajnerit të kombëtares dhe interesimi i Napolit nuk mund të vlejnë përballë një interesimi të mundshëm të skuadrës londineze të Chelseat.

Të dyja skuadrat, Chelsea dhe Vitesse, kanë firmosur një marrëveshje në 2010-n, që u bë edhe objekti i një hetimi që u mbyll vitin e kaluar, që në parim i lejon londinezëve që të huazojë lojtarë tek holandezët në mënyrë që këta lojtarë të luajnë dhe të rriten, si një përgatitje për skuadrën e parë të “bluve”.

Në tetor të 2013-s, skuadra e Vitesse u bë me një pronar të ri dhe ai është Aleksandr Chigirinsky, miliarderi rus që njihet për miqësinë e tij me presidentin e Chelseat, Roman Abramovich.

Që nga ky moment, marrëdhëniet mes këtyre dy skuadrave u ngritën në një tjetër nivel, sa që Vitesse po i bënte shumë ndere londinezëve dhe nuk munguan akuzat se skuadra holandeze po bllokonte lojtarët që kishte në pronësi të saj, pasi më parë duhej pyetur nëse të njëjtit i interesonin Chelseat.

Kështu, drejtori sportiv i Ajaxit, Marc Overmars, foli për ndikimin që ka Chelsea te Vitesse, kur tha se klubit të tij nuk i ishte lejuar të takonte mesfushorin premtues Marco van Gikel për ta bindur të transferohej.

Ai pretendoi se më parë ishte pyetur Chelsea nëse ishte i interesuar për një talent si Van Ginkel i cili kishte shkëlqyer me Vitessen dhe skuadra londineze papritur kishte filluar interesimin për lojtarin e ri.

Sigurisht që holandezi u transferua te Chelsea për 7 milionë paund. Pikërisht ky skenar mund të ndodh edhe me Milot Rashicën, pasi në rast se Chelsea e dëshiron në skuadër, atëherë gjërat mund të komplikohen për Napolin.

Top Channel