Shkup, LSDM: Ligji i ri i medias, kusht për zgjedhjet. BDI: Të përfshijë shqiptarët

29/03/2016 00:00

Partia maqedonase në opozitë, LSDM ka kërkuar këtë të martë ndryshimin e ligjit për mediat, duke dorëzuar në Kuvend edhe një projektligj për reformimin e kësaj sfere, si një kusht i rëndësishëm për zgjedhje demokratike në Maqedoni.

“Ligji duhet të miratohet me procedurë urgjente, të zbatohet tërësisht në praktikë dhe të vlejë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Goran Sugarevski, shef i grupit parlamentar të LSDM-së.

Për t’i dhënë mbështetje projektligjit të LSDM-së, partia shqiptare në pushtet BDI kërkon, që ai të përfshijë edhe kërkesat e mediave në gjuhën shqipe, të cilat në draftin e hartuar nga partia e Zoran Zaevit janë anashkaluar.

“BDI-ja është ajo që mban të drejtën e bllokimit të ligjit, nëse nuk përfshihen edhe kërkesat e mediave shqiptare në këtë procedurë”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Nga Partia Demokratike Shqiptare në opozitë thonë se, ata do të mbështesin çdo nismë për media të lira, që do të përfshijë edhe kërkesat e tyre në interes të shqiptarëve.

“Shërbimit publik kërkojmë që t’i ndërrohet emri nga ‘Makedonska Radio Televizija’; të ketë gjithashtu 24 orë program të veçantë në gjuhën shqipe me financim të përshtatshëm; si dhe heqjen e taksës së shpërndarjes së valëve radiofonike”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Vetëm VMRO-DPMNE-ja e ish-kryeministrit, Nikola Gruevski, nuk është prononcuar për projektligjin e LSDM-së për reformim të medias. Ndërkohë, PDSH-ja opozitare fajësoi partnerët e koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe BDI, për dështimin e negociatave për reformimin e mediave me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

Top Channel