Mavraj hedh poshtë zërat për “xixa” mes tij dhe Canës

29/03/2016 00:00

Pak orë para ndeshjes kundër Luksemburgut, Mërgim Mavraj sqaroi të gjitha spekulimet që janë ngritur rreth marrëdhënies së tij me kapitenin Lorik Cana.

Keqkuptimet lindën pas golit të dytë të pësuar në ndeshjen me Austrinë, ku Mavraj u shfajësua se e lejoi topin të kalonte, pasi dëgjoi Lorikun që i tha se ishte i vetëm. Kaq mjaftoi që në media dhe në rrjetet sociale të pulikoheshin tituj bombastikë dhe ngjarja të merrte përmasat e një përçarjeje edhe pse pas ndeshjes nuk mbeti gjë pa sqaruar. Mavraj u shpreh: “Loriku më tha që kisha kohë, që isha vetëm. Prandaj e lashë topin”. Ndërkohë që kapiteni Cana e mori vetë përgjegjësinë e gabimit: “Komunikova në mënyrë të gabuar me të dhe ai e interpretoi ndryshe. Nuk jemi mbrojtur mirë dhe më shumë marr përgjegjësi unë sesa ai sepse mënyra se si komunikova me të nuk ishte e duhura”.
Në rrjetet sociale, Mavraj ndërhyri duke postuar një fotografi me Canën dhe duke hedhur poshtë çdo thashethem për “xixa” mes tij dhe Canës.
“Më shumë se asnjëherë, vëllezër!!!

Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë “xixa” mes nesh, por as mes askujt në këtë familje të madhe! Do doja që në të njëjtin nivel me këtë ekip kombëtar të jenë dhe gazetarët që shkruajnë për të! Gabuam sepse nuk jemi të pagabueshëm, çdo fitore na gëzon edhe çdo pësim na mëson.

Më shumë se asnjëherë, vëllezër.

Forca Shqipëria!
O sa mirë me qenë Shqiptar!”

Top Channel