Fondi për të riatdhesuarit, vjet 20 mijë azilkërkues të kthyer në Kosovë

29/03/2016 00:00

Në valën e qytetarëve, që u larguan nga Kosova drejt BE-së në mënyrë ilegale përmes Hungarisë, ishte edhe i riu Sami Salihu nga Prishtina.

Pas disa muajsh qëndrimi në Holandë dhe refuzimit të kërkesës për azil, qershorin e vitit të kaluar ai vendosi të kthehet në Kosovë. Edhe pse shteti i Kosovës detyrohet për riintegrimin e personave të kthyer, Salihu thotë se nuk është informuar fare lidhur me këtë.

“Në Turqi ka qenë Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, që na ka drejtuar dhe na ka paguar biletën deri këtu. Kur kemi ardhur këtu, një polic na ka dërguar në një zyrë, na pyetën për emrat dhe mbiemrat, si dhe arsyet pse kishim shkuar atje. Asgjë në lidhje me ndonjë ndihmë nga shteti nuk na kanë informuar”, tha Sami Salihu, i riatdhesuar.

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një përgjigjeje elektronike ka sqaruar për Top Channel se, fondi i riintegrimit të personave të riatdhesuar për vitin 2016 është mbi dy milionë euro.

Deri tani, nga ky fond kanë mundur të përfitojnë financim për plan biznesi, vetëm personat e larguar para korrikut të vitit 2010. Por, MPB-ja ka sqaruar se, nga data 9 mars e këtij viti është ndryshuar rregullorja e qeverisë për riintegrimin e personave të riatdhesuar, e cila u mundëson të gjithë të rikthyerve të përfitojnë financim të planit të biznesit.

Nga rreth 100 mijë qytetarë të Kosovës, që kanë emigruar viteve të fundit, rreth 20 mijë prej tyre janë kthyer në Kosovë vetëm gjatë vitit 2015, ndërsa ka rënë interesimi i kosovarëve për emigrim ilegal.

Top Channel