Kosovë-SHBA, nënshkruhet marrëveshja e re e ekstradimit

29/03/2016 00:00

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe ekstradimi, e cila shfuqizon marrëveshjen e mëhershme të nënshkruar nga SHBA-të dhe qeveria e Mbretërisë së Serbisë në 1901-shin.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie tha se, marrëveshja e ekstradimit forcon Kosovën si shtet në arenën ndërkombëtare.

“Rëndësia e kësaj do të jetë tepër e madhe në parandalimin e terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar. Marrëveshja ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës është gjithashtu një mekanizëm, që do të rrisë besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Besueshmëria e Kosovës rritet gjithashtu edhe kur vendi lufton me sukses korrupsionin e brendshëm. Jam krenar, që SHBA-të bashkëpunojnë ngushtë me Kosovën për këtë gjë”, tha Greg Delaëie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, kjo marrëveshje vjen pas ndihmës së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

“Me marrëveshjen e nënshkruar sot, Kosova dhe SHBA-të, përpos që forcojnë partneritetin dhe përcaktimin për rend dhe ligj, garantojnë edhe që kriminelët që paraqesin rrezik për rendin e sigurinë e qytetarëve të vendeve tona, të ndiqen dhe të vihen para drejtësisë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente në largim e Kosovës.

Për zbatimin e marrëveshjes së ekstradimit dhe luftën kundër korrupsionit, ambasadori amerikan tha se do të ndihmojnë në trajnimin e mëtejshëm të policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Top Channel