Kosovë, Mustafa: Kemi parandaluar me sukses vajtjen e kosovarëve në Siri e Irak

29/03/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka vizituar Policinë dhe Ministrinë e Brendshme, për t’u njohur nga afër me luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e vajtjes së kosovarëve në luftrat e huaja.

Nxjerrja e legjislacionit që parashikon dënime të ashpra ndaj kosovarëve, të cilët luftojnë përkrah organizatës terroriste ISIS, sipas Mustafës ka ulur interesimin e kosovarëve për të udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut.

“Është një punë shumë konkrete në koordinim me të gjitha subjektet e tjera, ndaj dhe është arritur që të ndalet vajtja e njerëzve tanë atje. Sipas raportimeve, në 8 muajt e fundit nuk kemi pasur asnjë vajtje të njerëzve tanë në frontet e jashtme, qoftë në Siri apo në Irak”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme ka treguar për numrin aktual të kosovarëve që luftojnë përkrah ISIS-it, por edhe për familjarët e tyre që janë detyruar të shkojnë në zonat e luftës.

“Në vatrat e krizës mund të ketë rreth 70 qytetarë të Kosovës. Ndonjëherë, për fat të keq, ata marrin me vete edhe anëtarë të familjes, sidomos  gra dhe fëmijë, e në të shumtën e rasteve kjo bëhet kundër vullnetit të tyre”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Që nga viti 2012 e deri më tani, numri i shqiptarëve nga Kosova që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak është mbi 300.

Top Channel