Chelsea, gati 38 mln euro për portierin 17-vjeçar të Milanit, Donnarumma

29/03/2016 00:00

Gianluigi Donnarumma është vetëm 17 vjeç, por emri i tij tashmë po lakohet në ambientet e klubeve më të rëndësishme europiane, pasi portieri, ende adoleshent, ka spikatur në këtë sezon me fanelën e Milanit. Një prej skuadrave, që kanë shfaqur interes për të, është edhe Chelsea.

Sipas asaj që publikohet te “Daily Mail”, “Blutë” e Londrës po kërkojnë shërbimet e Donnarummës për të zëvendësuar Thibaut Courtois, i cili mund të largohet nga “Stamford Bridge” në fund të sezonit.

Gjithnjë sipas “Daily Mail”, trajneri Conte e pëlqen shumë portierin 17-vjeçar dhe Chelsea është gati t’i ofrojë Milanit 38 milionë euro për shërbimet e tij, një shifër kjo që është e konsiderueshme duke parë moshën dhe aftësitë e këtij futbollisti, që shpesh është cilësuar si pasardhësi i Buffon.

Megjithatë, në këtë pikë pengesat nuk mungojnë. Adriano Galliani dhe Raiola tashmë e kanë arritur akordin për rinovimin e kontratës me Donnarummën deri në vitin 2019, me një rritje page deri në një milion euro.

Një tjetër problem për Chelsean është se, Donnarumma pëlqehet edhe nga klube të tjera të rëndësishme, si Manchester City, Manchester United, Barcelona e Real Madrid, që e rrisin ndjeshëm konkurrencën për të.

Top Channel