Miqësorja me Italinë, Gjermania “kthehet” në mbrojtje

28/03/2016 00:00

Tre gola të pësuar në miqësoren e fundit kanë rikthyer vëmendjen e Gjermanisë te përgatitjet në repartin defensiv, një element kyç nëse kampionët e botës kërkojnë të imponohen edhe në arenën kontinentale këtë verë.

“Panxerat” përmes një konference për shtyp të zëvendëstrajnerit të kombëtares vlerësuan rivalin e radhës në miqësore, si një ekip që të mëson si të kesh kujdes në prapavijë.
 
Disfata 3-2 ndaj Anglisë tashmë është lënë pas, dhe për Gjermanët tani në fokus është Italia të martën në Mynih.

“Ne duhet të mbrojmë në mënyrë më konsistente dhe në këtë aspekt do të punojmë më shumë se repartet e tjera, sidomos në goditjet standarde. Pres që Italia të jetë në formë të mirë, pasi këtë e pamë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Spanjës që konfirmoi se është aty ku duhet para Euro 2016”, tha zëvendëstrajneri Tomas Shnnaider.
 
Mesfushori Sami Khedira pritet të jetë kapiten i Gjermanisë mbrëmjen e së martës për shkak të dëmtimit të Shvajnshtajger. Por vetë mesfushori tha se kolegu i tij i dëmtuar, do të rikuperohet shpejt.

“Çdokush që e heq Bastian jashtë listës bën një gabim të madh, pasi ai do të rikthehet aty ku duhet. Sfida ndaj Italisë është vërtet speciale por sidomos për ne që luajmë në Serinë A”, tha Khedira.

Top Channel